Lajme Shqip Thursday, 01 November 2012 14:33

PRAGE- Duke perjashtuar presionin që bëhet gjatë negociatave, në pritje të vendimit të ERE-s, CEZ duket se e ka ndarë mendjen për t’u larguar nga Shqipëria. Konfirmimi nuk vjen më nga Tirana, por nga Praga.

Në konferencën e djeshme për shtyp, ishte Tomas Pleskac, një nga anëtarët e bordit drejtues të kompanisë, që bëri një pasqyrë të zymtë të ecurisë së kompanisë në Shqipëri. Lajmi, për shkak të rëndësisë që kanë çekët në tregun europian të energjisë, u pasqyrua në shumicën e mediave ekonomike botërore.

Sipas tyre, të martën, përfaqësuesit e CEZ-it kanë pasur një takim me Kryeministrin Berisha dhe të dyja palët kanë rënë dakord për një zgjidhje të shpejtë të situatës, duke përfshirë edhe largimin e CEZ-it nga Shqipëria. Berisha pritet të caktojë një grup negociator për këtë qëllim. “CEZ do të vendosë në fund të vitit për shitjen e kompanisë dhe ka dalluar interesa nga blerës të mundshëm potencialë, përfshi qeverinë shqiptare, fonde investimesh dhe tregtarë energjie”, theksoi Pleskac.

Problematika

“Në Shqipëri ka dy probleme kryesore: niveli i lartë i vjedhjes së energjisë dhe mungesa e besueshmërisë së konsumatorëve”. Tomas Pleskac, anëtar i bordit të kompanisë, shpjegoi situatën që po çon në këtë vendim. Sipas tij, vetëm në gjysmën e parë të vitit, kompania “CEZ Shpërndarje” ka humbur 119 milionë dollarë, pa përfshirë këtu pagesën e taksave dhe të gjobave, që kanë qenë të shumta. Ai e vuri theksin te mungesa e transparencës, që, sipas tij, në tregun shqiptar është joekzistente. “Problemi në Shqipëri është se nëse ne arrijmë një marrëveshje me një institucion të caktuar, më pas vjen një tjetër institucion, i cili ngre pretendime krejt të ndryshme. Nuk ka një person apo trup të posaçëm me të cilin mund të negociosh”.

Lidhur me këto probleme apo edhe me rritjen e çmimit që ERE bëri në mesvit për blerjen e energjisë, CEZ është duke menduar seriozisht ta shesë kompaninë e shpërndarjes që bleu nga qeveria në vitin 2009. Janë një sërë treguesish që mbështesin dilemën e CEZ-it për të dalë nga tregu shqiptar, dhe një prej tyre, sipas analistëve, është edhe stopimi i investimeve që nisi në fillim të vjeshtës. Sipas agjencisë “Bloomberg”, analisti Petr Bartek i Erste Group Bank AG në degën e Pragës, konfirmoi se gjërat për CEZ nuk po shkojnë fare mirë, “por legalisht do të jetë e vështirë për CEZ-in të dalë nga vendi me elegancë”. Gjithsesi, nëse CEZ largohet, është edhe një barrë tjetër për qeverinë.

Garancia 60 milionë euro e Bankës Botërore mund të ekzekutohet në çdo moment, dhe detyrimi për ta paguar do të jetë i qeverisë shqiptare. Vendimi i çekëve është disi i pritshëm, pas dështimit të negociatave të herëpashershme me qeverinë, për të cilën mori edhe konsulentë nga Britania për ndërmjetësim. (P.O)