Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 19:07

Tiranë-CEZ Shpërndarje është duke bashkëpunuar ngushtë me Shtabin e Emergjencës në zonat e bllokuara nga bora, për të siguruar furnizimin me energji elektrike në të gjitha zonat dhe mbrojtjen e pjeseve të rrjetit që rrezikohen të dëmtohen.

CEZ Shpërndarje me anë të një njoftimi për shtyp ka bërë të ditur se, ka ngritur ekipe shërbimi 24 orëshe, të cilat janë në gatishmëri të plotë, dhe po punojnë për riparimin sa më të shpejtë të difekteve të shkaktuara nga moti i keq. Më shumë se 1500 inxhiniera dhe elektriçista janë në terren, duke punuar për riparimin e difekteve të shkaktuara nga stuhitë e dëborës.

Gjithashtu, CEZ Shpërndarje ka krijuar Shtabin Qëndror të Emergjencës, si edhe shtabe lokale, të ngritura pranë zonave kritike, të cilat janë furnizuar me bazë materiale, të nevojshme për riparimin e këtyre difekteve.

Gjithashtu, CEZ Shpërndarje është duke bashkëpunuar ngushtë me Operatorin e Transmetimit të Energjisë (OST), për riparimin e difekteve të shkaktuar nga moti i keq.

Në përgjithësi situata është normalizuar. Në rajonin verilindor pa energji janë Malësia e Muhurrit dhe Plan i Bardhë (Peshkopi); Bulqiza; fshati Brojë (Koplik), ku orteqet e dëborës kanë rrëzuar dy shtylla elektrike.

Në rajonin juglindor janë pa energjië: Golem, Fushëbardh, Deshnicë, Zhurrë. Rrugët e bllokuara nga dëbora e bëjnë të pamundur riparimin e difekteve në këto zona. Në momentin e parë që do të jetë i mundur kalimi nëpër këto akse, ekipet e CEZ Shpërndarje do të ndërhyjën për riparimin e difekteve.

CEZ Shpërndarje do të vazhdojë bashkëpunimin me Shtabin e Emergjencës dhe OST për furnizimin normal me energji të të gjithë vendit. (LajmeShqip.com)