Lajme Shqip Friday, 23 March 2012 16:24

Buxheti i shtetit e ka nisur edhe vitin 2012 me vështirësi në realizimin e të ardhurave.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për dy muajt e parë të vitit u mblodhën 49.3 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 0.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011.

Tatimi më i rëndësishëm, ai mbi vlerën e shtuar, u mblodh pothuajse në të njëjtën shumë sa një vit më parë, rreth 17 miliardë lekë.

E njëjta gjë mund të thuhet për shumicën e taksave dhe tatimeve kryesore, që u raportuan në vlera të përafërta me vitin 2011. Në linjë me parashikimet e buxhetit, qeveria ka ulur shpenzimet.

Për dy muajt e parë të vitit, u shpenzuan 56.3 miliardë lekë, nga 58 miliardë lekë të vitit të kaluar.

Por ajo çka është shqetësuese është struktura e uljes së shpenzimeve, sepse shkurtimi ka rënduar i gjithi mbi investimet publike. Shpenzimet kapitale të buxhetit ishin vetëm 6.8 miliardë lekë, nga 14.4 miliardë që ishin për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, shpenzimet korrente kanë njohur një rritje të dukshme me 13% duke arritur vlerën e pothuajse 50 miliardë lekëve. Për momentin, objektivi për të ulur deficitin është respektuar.

Në fund të muajit shkurt, deficiti ishte pak më i ulët se 7 miliardë lekë, nga afo 9 miliardë lekë që ishte një vit më parë.

Treguesit fiskalë gjatë këtij viti po bartin të njëjtat probleme të vitit 2011, duke u nisur nga ai më kryesori, vështirësia për të shtuar të ardhurat në buxhet.

Ky është një tregues direkt i plogështisë ekonomike dhe i ngadalësimit së ritmeve të rritjes.

Nëse shkurtimi i deficititit po rezulton i suksesshëm, edhe kjo arritje zbehet dhe jo pak nga fakti që ky shkurtim po rëndon i gjithi tek investimet publike, rënia e të cilave mund të sjellë pasoja të tjera negative për ekonominë e vendit.