Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 14:23

Tiranë – Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, deklaroi sot se turizmi shqiptar është zhvilluar ndjeshëm nga viti në vit dhe këtë e tregojnë shifrat e vizitorëve.

Në një konferencë shtypi, ministri Bumçi replikoi ndaj deklaratave të kreut të opozitës, Edi Rama, në tryezën e PS-së për turizmin, duke bërë publike shifrat e turistëve vitet e fundit.

“Para vitit 2005 në Shqipëri nuk kishte zhvillim të industrisë së turizmit, kjo sipas vizitorëve, numri i të cilëve ishte 500.000, ndërsa vitin që shkoi ata ishin 4 milion e 1 mijë”, tha Bumçi.

Në lidhje me të dhënat ekonomike të Bankës së Shqipërisë, Bumçi tha se shumë shtëpi apo hotele nuk derdhin të ardhura, që do të thotë se kemi informalitet dhe se vlerësimi i të ardhurave është shumë herë më i ulët se të ardhurat aktuale.

“Por, ne ende nuk jemi në një promovim të fuqishëm, pasi duhet të përgatisim vendin, pastaj të promovojmë fuqishëm”, tha Bumçi, duke shtuar se imazhi i mirë për vendin, Rruga e Kombit, janë disa nga faktorët e rritjes së numrit të turistëve.

Në lidhje me të dhënat për turizmin malor dhe faktin se turizmi shqiptar duhet të shpërndahet gjatë gjithë vitit, Bumçi tha se në periudhën mars, prill, maj 2011 numri i turistëve ka qënë 397.000 vetëm të huaj dhe në muajt shtator-tetor-nëntor 473.000 turistë.

“Nëse brënda një viti, në pranverë dhe në vjeshtë, kemi një rritje me 42% dhe 24%, ky është një tregues që turizmi nuk përqendrohet vetëm në periudhën qershor-gusht”, tha Bumçi.

MTKRS këtë vit, që është edhe 100-vjetori i Pavarësisë, do të përqendrohet në promovimin e imazhit të vendit për të tërhequr më shumë turistë. Gjithashtu vendi do të marrë pjesë në shumë panaire dhe do të shtojë turret, duke përmendur këtu 185 operatorët polakë që vizituan vendin pak kohë më parë.