Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 15:30

Tiranë -Rënia e ndjeshme e temperaturave gjatë dy javëve të fundit ka krijuar probleme për kultivuesit e perimeve në sera, në ultësirën perendimore të vendit.

Zv/ministri i Bujqësisë, Ndoc Faslia, tha të mërkurën se, “për shkak të motit të ftohtë dhe bllokimit të akseve rrugore, prodhimi nga serat këtë vit mund të vijë me 7-10 ditë vonesë krahasuar me sezonin normal”.

Sipas tij, prodhimi në sera është një nga drejtimet kryesore të bujqësisë, e cila përbën rreth 30% të prodhimit të përgjithshëm bujqësor vendas.

Duke vlerësuar situatën e krijuar nga reshjet e dëborës në zonat e veriut dhe të jugut të Shqipërisë, Faslia siguroi se Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, (MBUMK) po mban kontakte të vazhdueshme me fermerët për t’i këshilluar ata si dhe për t’i ndihmuar për të përballuar këtë situatë jo të zakonshme edhe për prodhimin bujqësor në vend.

“Nga një bilanc i orëve të fundit, mbi problemet me të cilat po ndeshet sektori i bujqësisë në zonat e verilindore të vendit, të izoluara nga dëbora, rezulton se dëmtime sporadike ka në pemtari (pemëve frutore) dhe vreshtave, për shkak të sasive të mëdha të dëborës. Ndërkohë që po mbahet nën kontroll furnizmi me bazë ushqimore për blegtorinë në këto zona”, theksoi Faslia.

Ministria e Bujqësise, me strukturat e saj të vartësisë në rajone, është pjesë e shtabeve të emrgjencës të ngritura në të 4 anët e vendit, po monitoron në mënyrë të vazhdueshme situatën e krijuar duke përcjellë edhe rekomandimet e nevojshme teknike për fermerët”, thotë Faslia.