Shumë shpejt, të ardhurat nga interneti dhe nga transmetimi i të dhënave do të tejkalojnë ato nga thirrjet zanore.
Moni Buchnik, drejtor i përgjithshëm i “Plus Communication”, gjatë një takimi informal me mediat, tha sot se, e ardhmja për kompanitë celulare është broadband, ndaj, është i domosdoshëm liberalizimi sa më i shpejtë i tregut të teknologjisë 3G.
Veç Kosovës, Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që ende nuk e ka liberalizuar tregun e shërbimeve 3G. Aktualisht, Shqipëria ka vetëm një operator 3G, ndërkohë që i dyti pritet ta bëjë funksional rrjetin brenda vitit 2011.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka bërë të ditur se tenderi për licencën e tretë do të shpallet brenda gjysmës së parë të vitit 2012. Ndonëse nuk është bërë ende zyrtare, edhe licenca e tretë pritet të jepet me garë, ndërkohë që operatorët celularë kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur dhënien e të gjitha licencave teknikisht të mundshme, për ta hapur plotësisht tregun.
Lidhur me deklaratat e kryeministrit Berisha, për licencimin vitin e ardhshëm të teknologjisë 4G, z.Buchnik u shpreh se, është herët për të folur për këtë teknologji. Sipas tij, brezi 3G është mëse i mjaftueshëm për të ofruar të gjitha shërbimet e telefonisë së lëvizshme dhe transmetimit të të dhënave për të cilat ka nevojë tregu shqiptar.
Në takimin e sotëm, operatori i katërt i telefonisë celulare, “Plus Communication”, bëri të ditur se ka arritur shifrën e 400 mijë abonentëve, çka përbën pak më shumë se 8% të tregut.