Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 20:30

TIRANË-  Eksportet pritet të tkurren gjatë këtij viti, një pasojë kjo e intensifikimit të efekteve të krizës së eurozonës në ekonominë tonë, duke ndikuar që edhe rritja ekonomike të jetë më e ulët.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka analizuar ecurinë e deritanishme të ekonomisë, duke theksuar rënien e kërkesës së jashtme dhe asaj të brendshme, gjë që dëshmon për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend.

“Eksportet në këto dy muaj u reduktuan në 20.5%, kundrejt të njëjtës periudhë të viti të mëparshëm duke reflektuar njëkohësisht modelimin e kërkesës së huaj. Shqipëria vlerësohet sot ndër ekonomitë që ka potenciale të mira zhvillimi.”- deklaroi Fullani. Në nivele të ulëta mbetet edhe konsumi, gjë që dëshmohet nga statistikat për rënien e importeve.

“Këto zhvillime janë reflektuar në thellimin e deficitit tregtar në dy muajt e parë të vitit me një normë vjetore prej 21.9% . Ky deficit përcaktohet më së shumti nga shkëmbimet tregtare të energjisë elektrike. Ky përjashtuar këtë efekt, importet e mallrave rezultojnë më të ulëta kundrejt një viti më parë.”- u shpreh Guvernatori.

Gjithsesi Guvernatori Fullani është shprehur optimist për ecurinë e konsumit gjatë periudhës në vijim, teksa ka evidentuar sinjale rimëkëmbjeje, pas stimulit që bëri Banka e Shqipërisë nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit për lekun. (B.W)