Tiranë – Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra me rreth 2.5 pikë në tremujorin e parë të vitit 2012, ve në dukje raporti i BSh-së që i kushtohet vrojtimit të besimit të biznesit dhe të konsumatorit në vend. Kontributin kryesor në rënien e TNE-së e shkaktoi ulja e theksuar e besimit konsumator.
Në keqësimin e Treguesit të besimit në industrisë (TBI) për tremujorin e parë ndikoi vlerësimi më pesimist i bizneseve për prodhimin dhe situatën e punësimit. Gjithashtu, grumbullimi i inventarëve në tremujorin e parë të vitit 2012 dha kontribut negativ në ndryshimin e nivelit të TBI-së.
Përkeqësimi i Treguesit të besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) u përcaktua vetëm nga rënia e theksuar e balancës për vlerësimin e gjendjes së punësimit në këtë sektor.
Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) regjistroi rritje në tremujorin e parë të vitit 2012. Pas rënies së theksuar të besimit të bizneseve në sektorin e shërbimeve gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar, ky tregues u rrit me 3.2 pikë përqindjeje në tremujorin aktual, ndonëse mbetet ende poshtë mesatares së tij afatgjatë.
Treguesi i besimit të konsumatorëve (TBK), pas përmirësimit të shënuar në dy tremujorët e mëparshëm, shënoi rënie në tremujorin e parë të vitit 2012. Përkeqësimi i besimit konsumator gjatë këtij tremujori u ndikua nga përkeqësimi i të gjitha balancave përbërëse të këtij treguesi. Rënie të ndjeshme pësoi balanca mbi blerjet në shuma të mëdha.
Raporti evidenton se pritjet e sektorit të industrisë për tremujorin e dytë të vitit 2012 janë optimiste në lidhje me rritjen e kërkesës së brendshme, por parashikojë rënie të asaj të jashtme. Gjithashtu, bizneset presin rritje të prodhimit industrial në tremujorin e ardhshëm. (GSh)