Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 16:00

Tiranë – Banka e Shqipërisë publikoi raportin e politikës monetare për 6-mujorin e parë të vitit 2011, duke evidentuar se sistemi bankar është i mirëkapitalizuar dhe likuid.

Sipas BSH-së, bankat po i përgjigjen mirë me kapital shtimit të kredive me probleme, ndërkohë që në muajin shtator, treguesi më i rëndësishëm për shëndetin e sistemit bankar, ai i mjaftueshmërisë së kapitalit, është rritur në 15.1%, nga 14.6% që kishte qenë në muajin Qershor.

Megjithëse kreditë me probleme janë rritur dhe fitimet kanë rënë, disa banka kanë reaguar me rritje kapitali, çka e ka përmirësuar sërish treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit dhe e kanë ngritur 3.1 pikë përqindjeje sipër minimumit të detyrueshëm rregullator. Në fund të muajit shtator, norma e kredive me probleme u rrit me 4.6 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë, ndërsa fitimi i sistemit bankar ishte rreth tre herë më i ulët.

BSH-ja bën të ditur se kapitali i tyre rezultonte 6% më i lartë krahasuar me një vit më parë.

Në Raportin e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë të vitit, Banka e Shqipërisë ishte shprehur se gjatë këtij viti ndjeshmëria e bankave të veçanta ndaj rrezikut të kredisë është rritur dhe këto banka duhet të rrisin kapitalin. Me sa duket, bankat i janë përgjigjur shpejt kësaj nevoje dhe rezultatet janë shfaqur që në fund të 9-mujorit. Në momentin kur kreditë me probleme kanë arritur nivelet më të larta historike, ky reagim rrit sigurinë e bankave për një vijim normal të aktivitetit kreditues.