Lajme Shqip Thursday, 11 August 2011 14:34

Tiranë – Shqipëria duhet të investojë në teknologjitë e prodhimit për t’i bërë eksportet e saj më konkurruese. Në një analizë për profilin e Tregtisë së Jashtme, Banka e Shqipërisë vëren se, dy grupet kryesore të eksporteve shqiptare janë tekstilet dhe lëndët e para.

Avantazhi krahasues në industrinë tekstile qëndron në kostot e ulëta të prodhimit, të cilat i bëjnë eksportet tona më të konkurrueshme në treg.

Ndërkohë, eksporti i lëndëve të para në formë xeherorësh, bëhet duke iu nënshtruar vetëm një ose dy hallkave të procesit të përpunimit, çka ndikon në mbajtjen të ulët të vlerës së shtuar të këtyre eksporteve.

Për këtë arsye, sipas Bankës së Shqipërisë, politikat afatgjata ekonomike mbi konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare duhet të drejtohen më shumë mbi rritjen e vlerës së shtuar të eksporteve dhe mbi rritjen e sofistikimit të tyre duke investuar në teknologjinë e prodhimit.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, për vitin 2010 eksportet shqiptare u rritën me 56%, ndërsa për gjashtë muajt e parë të këtij viti rritja ishte 20%. Megjithë performancën e mirë të eksporteve shqiptare në dy vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka shprehur vazhdimisht rezerva lidhur me qëndrueshmërinë e rritjes së tyre në të ardhmen. (LajmeShqip.com)