Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 15:44

Tiranë – Banka e Shqipërisë parashikon që rritja ekonomike e vendit për vitin 2011 do të jetë rreth 3.4%, po aq sa ç’vlerësohet të ketë qënë në tremujorin e parë. Ky parashikim zbeh optimizmin e qeverisë për një rritje ekonomike 5%, por është gjithsesi më i mirë se parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për rritje ekonomike 2%.

Nëse në pjesën e parë të vitit rritja ishte nxitur kryesisht nga stimuli fiskal, për gjysmën e dytë Banka e Shqipërisë pret një rritje të aktivitetit dhe rolit të sektorit privat në rritjen ekonomike. Megjithë rritjen pozitive, Banka Qendrore vlerëson se ekonomia shqiptare është nën potencialet e veta dhe kërkesa në ekonomi ngelet e dobët.

Në tremujorin e parë, papunësia ishte më e lartë se mesatarja historike. Referuar të dhënave të publikuara më herët nga Instat për Tregtinë e Jashtme, Banka e Shqipërisë thekson se eksportet për këtë vit janë rritur më pak se vitin e kaluar, kryesisht për shkak të rënies së importit të energjisë dhe të lëndëve të para.

Më i qëndrueshëm në rritjen e eksporteve është sektori i fasoneve. Banka e Shqipërisë parashikon se inflacioni do të vijë në rënie për pjesën e mbetur të vitit, falë rënies së inflacionit të importuar dhe presioneve të dobëta nga kërkesa e brendshme. (LajmeShqip.com)