Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 16:14

Banka Qendrore i ka propozuar Kuvendit disa ndryshime në ligjin “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”. Në tërësi, projektligji synon të harmonizojë këtë ligj me detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit dhe me direktivat e Bashkimit Europian për sektorin bankar. Sipas projektligjit, në rastet kur e gjykon të nevojshme për të parandaluar rrezikun sistemik, Banka e Shqipërisë mund të kërkojë që degët e bankave të huaja të ndahen nga banka mëmë dhe të veprojnë si banka të veçanta. Kjo mund të bëhet në rastet kur bankat mëmë kalojnë probleme, që mund të prekin apo dëmtojnë edhe degën e tyre shqiptare. Në kuptimin e Mbikëqyrjes, nuk bëhet fjalë për ndryshime rrënjësore, sepse edhe degët ju nënshtrohen rregullave dhe detyrimeve të njëjta me bankat e veçanta. Por, ndarja nga banka mëmë jep më shumë pavarësi në funksionimin dhe menaxhimin financiar të bankave. 

Aktualisht, në tregun bankar shqiptar i vetmi subjekt që funksionon si degë e një banke të huaj është “NBG Bank”. Degët e bankave të tjera të huaja me kalimin e viteve janë shndërruar në filiale apo banka të veçanta. Projektligji për ndryshimet në ligjin për bankat pritej të diskutohej sot në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë, por me kërkesën e përfaqësuesve të opozitës diskutimi u shty për një ditë tjetër gjatë kësaj jave.