Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 12:47

Tiranë – Vrojtimi i aktivitetit kreditues për 3-mujorin e dytë të vitit 2011, i kryer nga Banka e Shqipërisë, tregoi se standardet e kredisë vijuan të lehtësohen për individët dhe të shtrëngohen disi për bizneset. Ekspertët e bankave kanë vlerësuar se konkurrenca në sistemin bankar, gjendja e likuiditetit dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë, ndikuan në kahun lehtësues të standardeve të kredisë për individët.

Sipas qëllimit të përdorimit, standardet e kredisë me qëllim financimin e konsumit dhe blerjen e banesave, kanë vijuar tendencën lehtësuese, të nisur që prej 3-mujorit të katërt të vitit 2010.

Edhe kërkesa e individëve për kredi është vlerësuar në rritje, edhe pse në një shkallë më të ulët se në 3-mujorin e parë të të njëjtit vit.

Ndërsa, në segmentin e biznesit, faktorët me kontributin kryesor në kahun shtrëngues të standardeve të kredisë, kanë qenë gjendja e huave me probleme dhe problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja.

Bankat bëjnë të ditur se shtrëngimi i standardeve u aplikua si për ndërmarrjet e vogla e të mesme, ashtu edhe për shoqëritë e mëdha. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet janë shtrënguar me pothuaj të njëjtën masë si për kredinë e marrë për financimin e kapitalit qarkullues, ashtu edhe për atë për qëllime investimi.

Në 3-mujorin e dytë të vitit 2011, ekspertët e bankave vlerësojnë se kërkesa e bizneseve për kredi ka qenë më e ulët krahasuar me tremujorin e kaluar. Për tremujorin e tretë të vitit 2011, ekspertët e kredisë presin që të vazhdojë e njëjta tendencë, me shtrëngim të standardeve të kredisë për bizneset dhe lehtësim të standardeve për kreditë dhënë individëve. (LajmeShqip.com)