Lajme Shqip Friday, 19 August 2011 12:51

Tiranë – Transparenca e bankave me klientët vazhdon të jetë problematike dhe e pamjtueshme. Banka e Shqipërisë e ka evidentuar këtë edhe në Raportin Vjetor të Mbikqyrjes për vitin 2010, të publikuar së fundmi. Sipas raportit, sistemi bankar përgjithësisht ka vepruar në përputhje me kërkesat e kuadrit ligjor e rregullativ mbikëqyrës.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë shprehet se dobësi janë evidentuar në drejtim të transparencës me klientin, por edhe të administrimit të rrezikut të kredisë, të rrezikut të likuiditetit, si edhe të ekspozimit ndaj rreziqeve të mëdha. Rastet e evidentuara i referohen mungesës në kontratat e kredive  dhe depozitave të disa prej elementeve të parashikuara në rregulloren  “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”.

Gjithashtu, sipas Bankës së Shqipërisë, shkeljet kanë të bëjnë me paqartësinë e informacionit në materialet promovuese, llogaritjen e normës efektive të interesit, apo ndryshimin e normës së interesit për kreditë.

Transparenca në reklamimin e produkteve bankare u bë një problem mjaft i mprehtë sidomos gjatë vitit 2009 dhe Banka e Shqipërisë tërhoqi vëmendjen e bankave të veçanta dhe i detyroi të tërhiqnin apo të ndryshonin disa nga materialet e tyre promocionale. Megjithëse qysh atëherë ka pasur përmirësime të dukshme, Banka Qendrore sërish vlerëson se ka raste kur reklamat e bankave nuk japin informacion të saktë dhe të mjaftueshëm për karakteristikat e produktit. Për sa i takon ndryshimit të normave të interesit, rasti më tipik ishte ai i Tirana Bank.

Në fund të vitit të kaluar, banka e Grupit të Pireut ndryshoi në mënyrë të njëanshme mënyrën e përllogaritjes së normës së interesit në disa kontrata të kredisë hipotekore. Kjo e detyroi Bankën e Shqipërisë të miratonte disa ndryshime rregullatore, ku ndalohet shprehimisht që banka të ndryshojë formulën e llogaritjes së interesit të kredisë në mënyrë të njëanshme.  (LajmeShqip.com)