Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 10:15

Bruksel – Presidentët e shteteve dhe të qeverive të 17 anëtareve të eurozonës mbrëmë pas negociatave të mundimshme nëntëorëshe sollën vendim të përbashkët për ndërmarrjen e masave për ndihmë Greqisë, e cila u kaplua nga kriza serioz financiare, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli.

“Mbetemi të përkushtuar dhe do të investojmë shumë mund për t’i siguruar eurozonës stabilitet financiar, duke e ndihmuar anëtaren e saj, Greqinë”, deklaroi kryetari i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuj.

Në projekt-marrëveshjen ceket se është arritur pajtueshmëri “për përpunimin e planit investues të Marshallit për Greqinë” dhe shtohet se ai plan duhet të krijojë kushte për përshpejtimin e tempos së zhvillimit të ekonomisë greke, me çka do t’i ndihmohet shtetit të dalë nga kriza. Element kryesor i masave të miratuara është programi i ri shpëtimtar financiar për Greqinë.

Pjesëmarrësit e samitit sollën vendim për program trevjeçar për ndihmë financiare për Greqinë në shumën prej 158,6 miliardë euro dhe masa plotësuese për stabilizimin e investimeve financiare të eurozonës.

“Në takim u miratuan masa për lokalizimin e krizës financiare greke, me çka nuk do të lejohet bartja e saj në vende të tjera”, deklaroi Rompuj, me iniciativë të të cilit u mbajt samiti.

Në suaza të programit të ri BE-ja dhe Fondi monetar ndërkombëtar do t’i ndajnë 109 miliardë euro. Tridhjeteshtatë miliardë eurot plotësuese do të sigurohen në tre vitet e ardhshme nga bankat private, ndërsa blerja e obligacioneve shtetërore greke në tregun dytësor do të sigurojë edhe 12,6 miliardë euro shtesë. Me atë, kontributi i përgjithshëm i sektorit privat në programin e ri për ndihmë Greqisë do të arrijë gjithsejt 49,6 miliardë euro apo pothuajse një të tretën nga pakoja e përgjithshme.

Për pjesëmarrjen e detyrueshme të kapitalit privat në përpjekjet për stabilizimin e sistemit financiar të Greqisë u angazhua në radhë të parë Gjermania, e cila do të japë kontributin më të madh nga vendet e eurozonës në programin e ri për ndihmë.

Vendet e eurozonës e shqyrtuan edhe mundësinë për ulje të borxhit grek për 90 miliardë euro.

Liderët nga eurozona u dakorduan që t’i mbështesin masat e Qeverisë greke për stabilizimin dhe reformimin  ekonomisë, me ç’rast në plan të parë është privatizimi i kapitalit shtetëror.

Është arritur pajtueshmëri që Fondi evropian për stabilitet financiar të sigurojë fleksibilitet gjatë kthimit të kredive. Normat e interesit të kredive do të ulen në 3,5 për qind, ndërsa koha e pagesës vazhdohet nga 7,5 vitet e tanishme në kohë minimale prej 15 deri 30 vite.

Në takim u prezantua edhe vlerësimi i ekspertëve, sipas të cilëve bankave greke u nevojiten gjithsejt 25 miliardë euro për rritjen e kapitalit.

Fondi evropian për stabilitet financiar do ta financojë “rikapitalizimin e institucioneve financiare, përmes kredive për qeverinë”, si përgjigje ndaj druajtjeve se detyrimi i investuesve për t’i pranuar humbjet nga kreditë greke do të shkaktojë “bankrot vullnetar”, që ndërkaq do të çojë tek ndërprerja e financimit të bankave greke.