Lajme Shqip Thursday, 20 August 2015 14:34

Komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve në bujqësi ka dalë me një raport ku ka rezultuar se reshjet e mëdha të shiut dhe breshrit kanë shkaktuar dëmë në kulturën e rrushit në Rahovec

“Komisioni pas marrjes së vendimit, me datë 05.08.2015 dhe 07.08.2015, ka dal në teren dhe ka bërë vlerësimin e dëmit të shkaktuar nga shiu(breshëri) të datës 03.08.2015. Sipas raportit të komisionit, kryesisht janë prekur zonat kadastrale e Drenocit, Nashpallës dhe Potoqanit të Epërm, ku janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në kulturën e rrushit”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

Sipas të dhënave të këtij komisioni, janë dëmtuar 115 fermerë dhe rreth 74.87 ha vreshta, ku shkalla e dëmtimit ka arritur nga 25 deri në 95 për qind të rrushit.

“Pas daljes në teren komisioni ka dal me konstatim mbi dëmet e shkaktuara në kulturën e rrushit, sipas të dhënave të marra nga tereni dhe digjitalizimit të vreshtave, nga breshëri janë dëmtuar 115 fermer me rreth 74.87 ha vreshta. Nga këto vreshta rreth 64.47 ha janë me rrush për verë dhe 10.40 ha me rrush tryeze. Varësisht nga ekspozicioni i terrenit më së shumti është dëmtuar ana veriore e vreshtave ku shkalla e dëmtimit arrin nga 25 deri në 95 përqind të rrushit:, sqarohet më tej në komunikatë.

Sipas komisionit ,vlera e përgjithshme e dëmeve të shkaktuara nga të reshurat atmosferike(breshëri), në komunën e Rahovecit arrin në 158.935.40 euro.

Përmes komunikatës, është bërë e ditur se në mungesë të mjeteve financiare për t`i mbuluar këto dëme, drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në komunën e Rahovecit, raportin e kompletuar do ta dorëzoj në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.