Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 15:58

Tiranë – Zv.ministri i Ekonomisë, Enno Bozdo gjatë një takimi sot me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë së rajonit AIN (Francë) dhe përfaqësues të biznesit francez, të interesuar për të njohur mundësitë për investime në Shqipëri, i garantoi se tek qeveria shqiptare, do të gjejnë një partner të qëndrueshëm.
Zyra e shtypit e METE-s bëri të ditur se gjatë takimit, Bozdo bëri një panoramë të zhvillim ekonomik dhe të reformave që ka ndërmarrë qeveria gjatë këtyre viteve, të cilat kanë bërë të mundur përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Ai garantoi biznesmenët francezë se tek qeveria shqiptare do të gjejnë një partner të qëndrueshëm.
“Në vitet e fundit, Shqipëria ka bërë reforma të rëndësishme, që kanë synuar përmirësimin e ndjeshëm të klimës së biznesit, reduktimin e barrës fiskale për investitorët, ngritjen e institucioneve funksionale, për të tërhequr sa më shumë investime të huaja”, bëri të ditur Bozdo.
Ai nënvizoi se gjatë kësaj kohe Shqipëria ka regjistruar histori suksesi me investitorë të huaj, kompani të mëdha europiane dhe botërore. Investimet e huaja në Shqipëri, në krahasim me vitin 2005, janë rritur 4 herë dhe Shqipëria renditet në vendin 21 në botë për performancën e investimeve të huaja.
Duke vënë në dukje se  të bësh biznes në Shqipëri është një oportunitet, Bozdo përmendi disa nga lehtësirat që ofron vendi, si regjistrimi i një biznesi të ri vetëm për një orë, shkurtimi i kohës së marrjes së lejeve dhe licencave, njehsimin e legjislacionit tregtar me legjislacionin europian për të drejtën e kompanive, marrëveshjet me komunitetin e vendeve të BE dhe procedurat e njehsuara në lidhje me cilësinë dhe sigurinë e mallrave, tarifat doganore zero me vendev e BE për mallrat industriale, etj.
Përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë dhe biznesit të Francës shprehën interesin e tyre të madh për të investuar në Shqipëri, ndaj dhe kërkuan të njihen akoma më shumë me mundësitë që ofron vendi për investime.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, përfaqësuesit e biznesit francez do të zhvillojnë takime edhe me drejtues në ndërmarrje të ndryshme që operojnë në vend.