Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 16:03

Tiranë – Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Enno Bozdo, ftoi investitorët italianë të investojnë në Shqipëri në sektorin e energjisë elektrike, por edhe në sektorë të tjerë të industrisë mekanike dhe asaj të lehtë.

Gjatë takimit me një grup investitorësh italianë, vizita e të cilëve u organizua nga Konfindustria Shqiptare, në bashkëpunim me Organizatën e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (CAN) të rajonit të Piemontes, në Itali, zv/ministri Bozdo siguroi se, politika e qeverisë shqiptare ka prioritet absolut thithjen e investimeve direkte.

Shqipëria është i vetmi vend në rajon që arriti t’i shpëtonte recesionit ekonomik, u shpreh z. Bozdo, dhe për këtë është reformuar kuadri ligjor, kuadri rregullator dhe kuadri fiskal. Zv.Ministri i METE-s theksoi faktin se, sipërmarrësit italianë mund të regjistrojnë në Shqipëri një kompani biznesi me të njëjtat procedura siç edhe e regjistrojnë në Itali, por me dallimin e vetëm që në Shqipëri mund ta regjistrojnë brenda një ore të vetme.

Z. Bozdo sqaroi se, lejet dhe licensat e nevojshme për këtë lloj aktiviteti mund të merren në maksimalisht për 3 javë pune të administratës vendore dhe me ndihmën e një agjencie të specializuar asistohet në çdo hap të investimit. “Veçanërisht në investimet për energjinë elektrike ne kemi një ‘One Stop Shop’ të dedikuar për të gjithë investitorët që duan të investojnë në këtë sektor”, përfundoi fjalën e tij zv/ministri Bozdo.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe presidenti i Konfindustrias shqiptare, Hajredin Fratari, i cili vlerësoi modelin italian në zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme dhe rolin e Konfindustrive të të dyja vendeve, si një program të qartë të zhvillimit të sipërmarrjes, në nxitjen e këtij sektori të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomive.

Fratari theksoi se rritja e rolit bashkëveprues të Organizatave të Biznesit Italian, jo vetëm si përfaqësues, por si institucione efikase në nxitjen dhe zhvillimin e sektorit privat, është shndërruar si një domosdoshmëri jetike.

Ndërkohë, Presidenti i Nderit i Konfindustrisë Shqiptare në Piemonte, Giovanni Firera, u shpreh se është koha që sipërmarrësit italianë t’a shikojnë Shqipërinë si një pikë për investime të sigurta dhe për investime biznesi në nivel ndërkombëtar.

“Sot këtu janë prezent 25 sipërmarrës, të cilët kërkojnë të shohin mundësinë e investimeve në Shqipëri”, – tha ai. Z. Firera nuk la pa përmendur edhe zonat industriale në Itali, veçanërisht në veri, ku gjenden të gjitha lehtësirat e mundshme që nevojat e tyre për biznesin të përmbushen. Ai vlerësoi SMA-në e Piemontes, një kompani që ka të punësuar 61 mijë persona. Z. Firera bëri të ditur se në fund të muajit shtator në Torino, do të hapet një degë e Konfindustrias Shqiptare, ku me këtë rast ftoi dhe Ministrin e Ekonomisë Shqiptare për inagurimin e kësaj dege.