Lajme Shqip Monday, 18 July 2011 13:33

Londër – Zv/kryeministri britanik Nik Kleg deklaroi se është jashtëzakonisht i brengosur se bota është në prag të një krize të re financiare.

Kleg tha se është i brengosur meqë vlerëson se kriza e eurozonës mund të transferohet në Britaninë e Madhe dhe drejtpërdrejt të ndikojë në vendet e punës, gjegjësisht në nivelin e papunësisë në këtë vend.

Bëhet fjalë për pranimin e parë se krizat në Greqi, Spanjë dhe Itali do të mund të ndikojnë në Britaninë e Madhe.

Në pyetjen: “Sa jeni të brengosur se ndoshta jemi në prag të një krize financiare serioze?”, Kleg u përgjigj: “Jam shumë i brengosur. Mendoj se pasiguria në SHBA, që është prodhim i një rrëmuje politike, si dhe kriza financiare në rritje dhe kriza debitore në eurozonë janë shumë serioze”.

Ai tha se është naive të mendohet se Britania mund të qëndrojë anash, pasi që nuk është anëtare e eurozonës.

“Kriza mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në vendet e punës dhe jetën e milionë britanikëve. Prandaj mendoj se duhet në mënyrë aktive të marrim pjesë dhe t’ju ndihmojmë anëtareve të eurozonës t’i zbatojnë reformat e domosdoshme që në të ardhmen të krijojnë eurozonë të fuqishme dhe prosperuese”, tha Kleg.