Lajme Shqip Wednesday, 24 August 2011 12:08

Tiranë – Ministri i Financave, Ridvan Bode dhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D’Eelia, nënshkruan të mërkurën në Tiranë marrëveshjen që i hap rrugë Programit të konvertimit të një pjese të borxhit që vendi ynë ka ndaj Italisë dhe që është parashikuar në Protokollin e bashkëpunimit dypalësh. Ministri i Financave Bode, duke bërë të ditur detaje të marrëveshjes, tha se shërbimi i borxhit (principal + interes) deri ne shumën 20 milionë euro, për disa kredi të akorduara nga qeveria italiane, nuk do t’i paguhen kësaj të fundit por do të depozitohen në një llogari Fondi Kundërparti (CPF).

Referuar marrëveshjes, pagesat në këtë fond do të bëhen në njëmbëdhjetë këste. Secili këst konvertohet në lek, sipas kursit të këmbimit kuotuar nga Banka e Shqipërisë në datën e depozitimit të këstit. Kësti i parë që do të ketë vlerën 500,000 euro, do të depozitohet në CPF brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes. Dhjetë këstet e tjera pasuese gjysmë-vjetore, secili me vlerën prej 1.95 milionë euro, do të depozitohen më çdo 31 tetor dhe 30 prill të viteve në vijim. Fondi i grumbulluar në këtë mënyre do të përdoret për realizimin e projekteve për zhvillim që do të identifikohen bashkërisht nga te dy palët dhe që do të jenë të fokusuara në fushat e arsimit, shëndetit dhe gjenerimit punësimit.

Për realizimin e këtij programi në mbështetje të politikave të zhvillimit social, do të funksionojë një Komitet i përbashkët Menaxherial, i cili do të përbëhet nga ministri i Financave ose përfaqësuesi i tij, i asistuar nga përfaqësuesit e Departamentit të Strategjisë dhe Bashkërendimit të Donatorëve pranë Këshillit të Ministrave dhe Ministri të tjera përkatëse; ambasadori italian në Shqipëri ose përfaqësuesi i tij, i asistuar nga anëtarët e Zyrës Italiane të Bashkëpunimit dhe/ose MFA-DGDC.

Të pranishëm në firmosjen e kësaj marrëveshje ishin edhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i Shëndetësisë, Petrit Vasili si dhe Kryetari i Zyres se Bashkepunimit per Zhvillim i Ambasades Italiane, Aldo Sicignano.