Lajme Shqip Wednesday, 02 November 2011 18:35

Komisioni Kuvendor i Ekonomisë miratoi kandidaturat e Dhori Kules dhe Ela Golemit për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Ndryshe nga sa kishte ndodhur me anëtarët e propozuar nga Këshilli i Ministrave, shqyrtimi i kandidaturave të Kuvendit u bë pa debat dhe në konsensus mes shumicës e pakicës. Dhori Kule, aktualisht rektor i Universitetit të Tiranës, tha se vizioni i tij është që të punojë për një Bankë Qendrore të pavarur dhe që i shërben rritjes ekonomike të vendit dhe stabilitetit të çmimeve.

Ela Golemi, aktualisht drejtore e Credins Bank për rajonin e Durrësit, vuri theksin tek eksperienca e saj 11 vjeçare në sistemin bankar dhe tha se në detyrën që propozohet ajo do të japë kontributin e një profesionisteje që vjen nga tregu.

Në ditët e ardhshme, Komisioni i Ekonomisë pritet të miratojë edhe kandidaturën e fundit për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, që do të propozohet nga Partia Socialiste. Përfaqësuesit e opozitës në komision u shprehën se vonesa në paraqitjen e dosjes së Ermelinda Meksit ka ndodhur vetëm për arsye proceduriale.

Zonja Meksi është deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe duhet të dorëzojë mandatin para se të votohet për detyrën e anëtares së Këshillit Mbikëqyrës.