Lajme Shqip Wednesday, 04 April 2012 15:20

Tregu primar i Bonove të Thesarit shfaqi një ecuri më të qëndrueshme në ankandet e radhës. Qeveria arriti të sigurojë borxhin e kërkuar, ndërkohë që interesat pësuan luhatje shumë të vogla.

Bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një normë të ponderuar interesi prej 7.33%, nga 7.34% që ishte në ankandin paraardhës. Vlera e borxhit të emetuar ishte afro 10.1 miliardë lekë, ndërsa oferta për financim arriti në mbi 11 miliardë lekë.

Ndërsa bonot me maturim 3 mujor regjistruan një rritje të lehtë të interesit mesatar në 7.3%, nga 7.27% që kishte qënë në ankandin paraardhës. Edhe në këtë rast, qeveria arriti të siguronte të gjithë shumën e kërkuar prej rreth 3.2 miliardë lekësh. Tregu duket më i qetë, megjithatë kjo nuk eleminon aspak shqetësimet për të ardhmen.

Në ankandet e radhës u regjistrua reagimi më i dobët i viteve të fundit ndaj uljes së normës bazë. Historikisht, ulja e normës bazë të interesit shoqërohet me rënie të interesave të bonove në ankandin e parë që e pason. Këtë herë, për bonot me maturim 12 mujor ulja ishte e papërfillshme, ndërsa për bonot me maturim 3 mujor pati rritje, megjithëse edhe kjo rritje ishte pothuajse në përmasa të papërfillshme.

Rezultantja është se ulja e normës bazë të interesit pothuajse nuk ka ndikuar fare në interesat e bonove, çka tregon se presionet që vijnë nga një ofertë e pasigurt qëndrojnë ende të forta. Vendimi i disa prej bankave që i takojnë grupeve të huaja për të ulur investime në bonot qeveritare shqiptare vazhdon të qëndrojë si “shpatë Damokleu” mbi tregun e brendshëm financiar.