Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 17:00

Interesat e bonove të thesarit pësuan rënie në ankandin e djeshëm, duke ju përgjigjur pritshmërive, pas uljes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Bonot me afat maturimi 12 mujor u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 7%, nga 7.11% në ankandin e mëparshëm.

Ndërsa bonot me afat maturimi 3-mujor u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 5.08%, nga 5.15% që kishte qënë në ankandin paraardhës. Vlera totale e borxhit të marrë nga qeveria shqiptare në të dy ankandet ishte rreth 15.6 miliardë lekë.

Të dhënat historike kanë treguar se qysh në ankandin e parë pas ndryshimit të normës bazë, interesat e bonove lëvizin në të njëjtin kah. Interesi më i ulët i bonove nënkupton një kosto më të ulët të borxhit publik, por gjithashtu edhe një çmim më të lirë të borxhit në lekë të sektorit privat.

Kreditë afatgjata në lekë përgjithësisht kuotohen mbi bazën e interesit të bonove, mbi të cilin shtohet edhe një marzh interesi fiks. Ulja e interesit të bonove ul automatikisht interesin total të kredisë.