Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 14:30

Tiranë- Ministria e Financave propozon shtyrjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit deri në fund të vitit 2013.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi të hënën ndryshimet në ligjin “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekë të privatizimit)”, sipas të cilave parashikohet që afati i përdorimit të bonove dhe lekëve të privatizimit të shtyhet deri më 31 dhjetor të vitit 2013.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave e pranishme në komision sqaroi se, qëllimi kryesor i shtyrjes së afatit të bonove të privatizimit është përdorimi i tyre në procesin e legalizimeve.

Ndryshimet në ligjin për legalizimet nga qeveria parashikojnë një përdorim të gjerë të letrave me vlerë gjatë këtij procesi duke futur kështu në përdorim bonot, të cilat ishin lënë në harresë që prej një dekade e gjysmë.

Opozita kundërshtoi këtë vendim të qeverisë me argumetin se bonot e privatizmit nuk po i shërbejnë procesit të legalizimit. Duke abstenuar në procesin e votimit, nënkryetarja e komisionit, Mimi Kodheli, deputete e Partisë Socialiste tha se, përdorimi i bonove të privatizimit është një proces i paqartë dhe i dështuar.

Letrat me vlerë, u shpërndanë në fillim të viteve ’90 në formë aksionesh të ndërmarrjeve shtetërore që qeveria i’u ofroi qytetarëve gjatë privatizimit të tyre.

Janë mbi 700 mijë qytetarë ata që morën në atë periudhë bono privatizimi, të cilat nuk u përdorën për një kohë të gjatë, gjë e cila mendohet të jetë bërë shkak që ato të neglizhohen nga përfituesit. Në total janë rreth 7.5 miliardë lekë të emetuara në bono privatizimi. Nga këto, rreth pesë miliardë janë shpërndarë në duart e përfituesve të kohës.

Gjatë privatizimeve në fillim të viteve ’90 është përdorur vetëm një pjesë e vogël e tyre. Shuma e përdorur mendohet të jetë rreth 1 miliardë. Ato që përfitojnë nga shpërndarja e bonove janë rreth 47 mijë familje ndërsa një pjesë e konsiderueshme investuan atëherë edhe tek shoqëri të tjera.