Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 20:00

Afati i përdorimit të bonove të privatizimit do të shtyhet deri 31 dhjetor 2013.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, relatore për këtë draft, Lindita Rusmajli tha sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë se ende shumë objekte janë në proces privatizimi prandaj është e domosdoshme shtyrja e afatit. Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli e ka cilësuar si të dështuar procesin e përdorimit të bonove të privatizimit.

Gjatë debateve në komision, deputetët e PS-së kanë akuzuar qeverinë edhe për privatizime të orientuara. Sipas të dhënave zyrtare, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave u janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë.

Nga këto janë përdorur deri tani në proces privatizimi 10 miliardë lekë ndërkohë që mbeten të shpërndara dhe të papërdorura 41 miliardë lekë të tjera. Një pjesë e konsiderueshme janë përdorur edhe për pagesat e legalizimeve.