Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 14:21

Tiranë – Taksa e makinave do të ndryshoje dhe ligji do t’i shërbejë uljes së importit të makinave të përdorura.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi të martën gjatë prezantimit ne Komisionin Parlamentar të Ekonomiser-it, të draftit për rishikimin e buxhetit të shtetit për pjesën e dytë të vitit, se është ngritur grupi i punës, i cili do të hartojë ligjin për taksat e importit të makinave të përdorura. Bode bëri të ditur se ndryshimet do të synojnë uljen e importit të makinave të përdorura.

Taksat ndaj makinave të përdorura u cilësuan si jo të përshtatshme në mars të këtij viti nga kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë i kërkoi ministrisë së Financave që kjo taksë të rishikohet, pasi sipas kryeministrit, nuk i shërben njeriu, madje ajo ka bllokuan edhe tregun e makinave.

“Taksa e makinave të përdorura duhet të shqyrtohet, sepse ajo faktikisht ka bllokuar tregun e tyre brenda vendit. Pra duhet të bëhet një ri shqyrtim i qëndrimit”, u shpreh Berisha në mbledhjen e qeverisë në 2 mars të këtij viti.

Taksa për automjetet e përdorura në momentin e shitjes, e cila llogaritej në bazë të cilindratës për çdo vit përdorimi, bllokoi tregtinë e makinave të përdorura dhe për më tepër ka reflektuar me një rënie të të ardhurave në buxhetin e 2010-s, në krahasim me vitin 2009 kur taksa vilej në dogana. Sipas ligjit aktual, të shesësh një makinë të viteve ’90, taksa që duhet të paguash për shtetin është shumë më e lartë se vlera e shitjes së automjetit. Sipas formulës aktuale me të cilën përllogaritet taksa, nëse makina është dhjetë vjeçare, taksa e ndotjes do të jetë: 1893*0.5*25, në total afërsisht 248 mijë lekë. Sipas kësaj formule, asnjërit nuk do t’i interesojë të shesë apo të blejë një automjet me vit prodhimi të largët.

Ligji i ri mbi taksën e transaksionit të makinave të përdorura hyri në fuqi në korrik të 2010-s, duke dhënë efekte të menjëhershme në tregtinë e automjeteve të përdorura, si nga importi i tyre, ashtu edhe nga tregtia e brendshme.

Në respektim të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, qeveria shqiptare zëvendësoi taksën doganore, ose tarifën e ndotjes, sipas viteve të përdorimit në momentin e importit të makinave, me taksën e mjedisit për tregtimin e automjeteve të përdorura.