Lajme Shqip Tuesday, 02 October 2012 11:43

TIRANË – Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi të martën se, ekonomia shqiptare i bëri ballë krizës globale, por parashikimi për një rritje ekonomike prej 4.3 % bie për shkak të presioneve të saj.

Përkrah Shefit të Misionit të FMN-së për Shqipërinë dhe Guvernatorit të BSH-së Ardian Fullani, pas rreth 10 ditë bisedimesh mbi zhvillimet ekonomike shqiptare, Bode pranoi se rritja ekonomike për vitin 2012 do të bjerë me 1.3 % duke e çuar atë në 3 % nga 4.3 % që ishte objektivi në këtë fillimvit.

Rritja ekonomike, sipas Bodes, pësoi ritme rënie për shkak të një niveli më të ulët të kërkesës së brendshme vetëm 5.7 %, rritjes jo në nivelet maksimale të eksporteve, por edhe një pjesëmarrjeje më të ulët të sistemit bankar në treg.

Por ai vlerësoi se politikat e ndjekura nga qeveria ishin adekuate, koherente me zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe në rajon e më gjerë, por dhe të kujdesshme. Bode tha se objektiv i qeverisë edhe gjatë vitit 2012 mbeti ruajtja e stabilitetit makroekonomik. “Synimi ynë ka qenë ruajtja e nivelit të borxhit publik prej 60 % dhe e defiçitit buxhetor në të njëjtat parametra”, tha Bode. Ai pohoi se, në terma real borxhi publik shqiptar vërtet është më i larti në rajon, por tha ai, është më i parrezikshmi, pasi shërbehet me instrumenta tërësisht të brendshme dhe pëmes kredive të zhvillimit me terma afatgjata dhe norma të buta interesi, por gjithsesi ritmet e rritjes së tij përgjatë periudhës së krizës ishin ndër më të ulëtat . “U rrit vetëm 3-4 %, kur vendet e rajonit ose e kanë dyfishuar atë, ose vijojnë me shpejtësi të kapërcejnë limitet”, tha Bode.

Viti 2012, nënvizoi Bode, përkoi edhe me komunikimin e presionit të krizës edhe përmes një tjetër kanali, atij të sistemit bankar ku një prej bankave më të mëdha të ekonomisë shqiptare shënoi një ulje të ekspozimit të saj në ekonominë shqiptare çka ngadalësoi ritmet e kreditimit për ekonominë reale por edhe ritmet e mbështetjes së pjesëmarrjes në tregjet e bonove të thesarit në tregun financiar shqiptar.

Ky vit, sipas tij, ka edhe faktorë të tjerë që nuk lidhen me ekonominë dhe zhvillimet e saj, por që ka të bëjë me situatën energjetike që lidhet me situatën e reshjeve hidrike ku bazohet edhe prodhimi ynë i energjisë elektrike, ashtu si me performancën e hallkave të këtij sistemi, e cila kushtëzon shumë këtë zinxhir energjetik që funksionon në ekonominë shqiptare dhe që me mosfunksionimin e tij korrekt, ka impakte mbi zhvillimet e ekonomisë sot dhe në të ardhmen.

Kreu i financave publike tha se, reforma strukturore është një tjetër element i ndërmarrë nga qeveria për të krijuar një axhendë rritjeje dhe për të suportuar ritme të larta rritje, kur mundësitë e tjera ekonomike e financiare e stimujt fiskal bëhen gjithnjë e më të kursyer.

Kjo reformë, tha ai, përfshiu një sërë fushash që kanë të bëjnë me lehtësi ndaj biznesit, mundësitë për të tërhequr investitorët e huaj, kapacitetet për të gjeneruar punësim, dhe një sërë aspektesh të tjera.

“Kemi një axhendë intensive për privatizimet në sektorë energjetik të cilët do të mundësonin hapësira të reja për mbështetjen ekonomike në periudhën afatmesme “, u shpreh Bode.(LajmeShqip.com)