Lajme Shqip Wednesday, 08 February 2012 17:02

Tiranë- Ministri i Financave Ridvan Bode garantoi të mërkurën se qytetarët do të furnizohen me energji elektrike, pasi qeveria ka vendosur përdorimin e fondeve të kontigjencës për importimin e energjisë.

Gjatë një prononcimi për mediat, Bode tha se importi i energjisë elektrike do të bëhet, pamvarësisht çmimit të saj në treg, në mënyrë që qytetarët të furnizohen me energji elektrike, në kushtet e situatës së rënduar klimaterike në të cilat është përfshirë vendi ynë prej disa ditësh.

“Megjithëse prodhimi i energjisë është minimal, qeveria vë në dispozicion një fond nga kontigjencat për importimin energjisë së nevojshme. Ky fond, i cili përdoret rastet e emergjencave të shkaktuara nga situata natyrore, do të shërbejë për blerjen e energjisë në 2 muajt e ardhshëm’, tha Bode.

Ministri Bode nuk përjashtoi edhe ndërhyrjen në buxhet, nëqoftëse fondi i kontigjencave do të ishte i pamjaftueshëm.

Që prej disa ditesh i gjithë vendi është përfshirë nga temperature të ulëta dhe stuhi dëbore, kushte të cilat kanë çuar deri në ngrirjen e një prej liqeneve më të rëndësishem, siç është ai i hidrocentralit të Fierzës.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bëri të ditur se reshjet e ditëve të fundit kanë përmirësuar disi situatën hidrike në kaskadën e lumit Drin.

Nga të dhënat e KESH-it rezulton se niveli i Fierzës ka arritur në 262.3 metra, ndërsa prurjet llogariten në 90 metra kub në sekondë.

Niveli i Komanit ka arritur në 171 metra dhe ai i Vaut të Dejës 73.4 metra. Falë rritjes së prurjeve dhe nivelit të ujit në liqene është shtuar edhe prodhimi i energjisë.

Sipas të dhënave të KESH-it, konsumi në të gjithë vendin, për shkak edhe të të ftohtit, është rritur duke kapur 25 milionë kilovat/orë në ditë, nga të cilat 11 milionë kilovat/orë importohen dhe pjesa tjetër, prodhohen nga hidrocentralet.    

Duke u ndalur në çështjen e borxhi publik, ministri Bode theksoi se “borxhi publik nuk është problem për ekonominë dhe aq më pak nuk përbën një kusht të munguar për të marrë kredinë e Bankës Botërore, në kuadër të mbështetjes së saj financiare në kohë krize”.