Lajme Shqip Friday, 22 April 2011 11:24

Tiranë – Ministri i Financave Ridvan Bode dekalroi sot gjate një konference për shtyp se miratimi i ligjit për faljen e deyrimeve tatimore dhe gjobave është një garanci për qytetarët dhe biznesin që nuk kanë paguar taksat të shkepusin lidhjet nga e kaluara e tyre problematike.

“Rritja e kapaciteteve administrative, forcimi i zbatimit të ligjit dhe njëkohësisht ulja tërësore e barrierave adminsitrative për biznesin e kanë bërë të qartë se qenia në treg, sipas ligjit, pagimi i taksave të ulëta, ka një kosto më të ulët për biznesin se sa fshehja e tyre dhe manipulimi i aktivitetit të tyre ekonomik dhe kapitaleve”, deklaroi ministri Bode.

Ai ritheksoi edhe një herë faktin se nga ky ligj nuk do të mund të përfitojnë zyrtarët apo personat që kanë patur detyrimin për të deklaruar pasurinë e tyre apo paratë e perfituara nga krimi, droga apo lidhja me politikanët.

Z. Bode bëri të ditur se ligji do të nisë zbatimin e tij në gjysmën e parë të muajit maj, ndërsa garantoi se janë marrë të gjitha masat për të mundësuar implementimin e tij. “Janë një sërë dispozitash që forcojnë zbatimin e ligjit. Kemi përgatitur një paket përmirësimesh ligjore që janë të lidhura ngushtë me këtë. “, tha Bode.

Kreu i financave publike garantoi se |me zbatimin e këtij ligji nuk do të ketë tolerance për veprime të fshehta, pasi në fund të këtij viti që është edhe afati i fundit i përfitimit nga ky ligj legalizimi i kapitaleve, aseteve dhe falja quhet e mbyllur dhe nuk mund të rikthehet”.

Z. Bode në të njëjtën kohë dha edhe detaje mbi menyrën se si qytetari apo biznesi mund të aplikojë për të legalizuar asetet, kapitalin, rivleresuar pajisjet apo pasurite e paluajtshme. “Mjafton të tërheqë një formular on-line nga administrata tatimore t’a plotësojë dhe më pas të mund të veprojë në një nga bankat në vend’, deklaroi Bode.

“Tranzicioni në Shqipëri pjesën më problematike e ka patur funksionimin dhe transparencën e ekonomisë”, tha Bode. Por ministri Bode nuk dha një shifër se sa do të jetë shuma e kapitaleve dhe aseteve që do të mund të legalizohen nga veprimi i këtij ligji.

Ai tha se efeket do të jenë pozitive në buxhetin e shtetit, por theksoi se përfitimin më të madh do t’a ketë biznesi dhe qytetari, pasi duke patur parasysh tarifat që do të aplikohen, në qender të ligjit janë vene këto dy kategori.

Lidhur me atë çka falet nga qeveria, Bode tha se shumat që falen janë të mëdha qoftë të detyrimeve apo penaliteteve që lidhen me këto detyrime. “Nga përllogaritjet e bëra, falja e detyrimeve të prapambetura shkon në rreth 40 miliardë lekë, ndërkohë që një sërë lehtësirash të tjera i krijohen biznesit për të kapërcyer atë fazë jo fort të këndshme që ka aktualisht me organin fiskal”, u shpreh më tej  Bode.