Lajme Shqip Friday, 18 March 2011 11:43

Tiranë – Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi të premten se në amnistinë e pritshme fiskale nuk do të përfshihen personat dhe kapitali, që janë brenda fushës së veprimit të ligjit antimafia dhe objekt i Konventës për pastrimin, kërkimin, ngrirjen dhe sekuestrimin e aseteve nga krimi.

Gjatë tryezës së rrumbullakët me përfaqësues të biznesit në Tiranë, ku po diskutohet për nismën e qeverisë për amnistinë fiskale, Bode tha se “Nuk duhen përfshirë pasuritë e personave që kanë patur një pozicion zyrtar dhe kanë patur detyrime për deklarimin e pasurisë sipas ligjit”.

“Ka ardhur koha për të lansuar dhe miratuar një iniciativë të tillë, në kushtet kur biznesi e kërkon me insistim si një mundësi për të vendosur atë në të njëjtin standard me bizneset e vendeve fqinje dhe në kushtet kur në Shqipëri nuk është realizuar asnjëherë një amnisti fiskale e plotë”, tha Bode.