Lajme Shqip Monday, 15 August 2011 14:58

Tiranë – Shoqata e Shoqërive Hidrokarbureve kërkon zhbllokimin e tregut të ngarkim-shkarkimit të gazit të lëngshëm në Porto Romano.

Me një letër drejtuar kryeminsitrit dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë, shoqata kërkon që Shoqëria Romano Port Sh.a të detyrohet të respektojë  të drejtën e barazisë për shoqëritë që do të kryejnë shërbime nëpërmjet këtij objekti, duke respektuar legjislacionin në fuqi në këtë fushë.

 

Në fillim të këtij muaji, Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim të thelluar për tregun e depozitimit të gazit të lëngshëm në Porto Romano. Vendimi është marrë pas ankesës së shoqërisë “Mare Oil”, që nuk është lejuar të përdorë depozitat e Porto Romanos për shkarkimin e një anijeje me gaz të lëngshëm. Gjithashtu, Autoriteti ka vendosur si masë të përkohshme detyrimin e “Romano Port sh.a” për të lejuar kompaninë e interesuar të depozitojë ngarkesën e gazit të lëngshëm.

 

Por, masat e përkohshme të marra nga Autoriteti nuk janë zbatuar dhe shoqëria “Mare Oil” ende nuk është lejuar të shkarkojë në Porto Romano. Kjo ka detyruar Shoqatës e Shoqërive të Hidrokarbureve të kërkojë publikisht zgjidhjen e problemit. Sipas ligjit, në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve, Komisioni i Konkurrencës mund të vendosë gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore, deri sa shoqëria të zbatojë vendimin. (LajmeShqip.com)