Lajme Shqip Thursday, 09 February 2012 18:00

Dimri i ftohtë dhe thatësira e tejzgjatur pritet të shkaktojnë ndryshime në buxhetin e shtetit 2012. Në vend po njihen nivele rekord të konsumit të energjisë elektrike, deri në 25 milionë kWh në ditë. Edhe importi energjetik është në rritje, thuajse në shifra të barabarta me prodhimin. Ky import vjen për shkak të nevojës për energji dhe mungesës së reshjeve për gjenerimin e saj në vend.

Kriza energjetike që ka mbërthyer vendin duket qartë në nivelet e liqeneve të Hec-eve të lumit Drin, të cilat janë shumë poshtë mesatares së tyre historike. Ministri i Energjetikës, Nasip Naço, i shoqëruar nga drejtori i Korporatës Energjetike Shqiptare (KESH), Engjëll Zeqo, ka kryer një inspektim në hidrocentralin e Vaut të Dejës për të parë më nga afër situatën. Të tre portat e digave të hidrocentralit janë të mbyllura dhe shkarkimi i ujërave është në nivelet më minimale.

Niveli i liqenit të Vaut të Dejës është në rreth 70 metra dhe prodhimi ditor në rreth 2 milionë kWh. Vjet në këtë periudhë, ky hidrocentral gjeneronte tri herë më shumë, rreth 6 milionë kwh në ditë. Ministri Naço është shprehur se, do të vazhdojë importi i energjisë për të garantuar furnizimin pa ndërprerje. Naço është shprehur se, do të rishikohet buxheti i shtetit, duke hequr dorë nga investimet në infrastrukturë.

Kostot e larta ekonomike që duhet të përballojë shteti i ka pohuar dhe drejtori i KESH-it, Engjëll Zeqo, duke deklaruar se prodhimi i energjisë është në nivele minimale. Zeqo ka thënë gjithashtu se, do të vihet në punë Tec-i i Vlorës për të përballuar çdo situatë të paparashikuar.

Ministri Naço tha gjithashtu se, po bashkëpunohet me të gjitha strukturat energjetike, KESH, CEZ OST,  për të garantuar furnizimin pa ndërprerje me energji. Mbingarkesa energjetike ka shkaktuar difekte në rrjet, kryesisht në zonat Juglindore dhe Verilindore dhe janë ngritur grupe të përbashkëta pune për riparimin e avarive.