Lajme Shqip Saturday, 02 July 2011 17:06

Tiranë – Banka Kombëtare Tregtare (BKT) u zgjodh nga revista prestigjioze “EMEA Finance”, si Banka më e Mirë e Vitit 2010.

Përmes një njoftimi për shtyp BKT bën të ditur se, në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, të premten në kështjellën Schonbrunn në Vjenë morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm dhe Anëtari i Bordit Drejtues, Seyhan Pencapligil, Anëtari i Bordit Drejtues Dr. Ismail Ergener dhe Nëndrejtori i Përgjithshëm për Thesarin dhe Institucionet Financiare, Kaan Pekin.

EMEA Finance është një nga revistat financiare më të rëndësishme në botë, që ndjek zhvillimet në tregjet financiare të Europës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës. EMEA Finance shpërndan çdo vit çmimet për bankat dhe institucionet financiare më të mira në këto tregje.

BKT është banka e dytë më e madhe në Shqipëri me 1.7 miliard dollarë asete dhe 1.4 miliard dollarë depozita. BKT, e cila pak kohë më parë festoi 85-vjetorin e krijimit të saj, është banka më e vjetër tregtare në vend, me një rrjet prej 77 degësh, 58 prej të cilave ndodhen në Shqipëri dhe 19 në Kosovë, duke e renditur BKT-në si banka shqiptare më e madhe në rajon.

BKT, është vlerësuar vazhdimisht si banka më e mirë në Shqipëri, madje edhe nga The Banker. BKT është e vetmja bankë së cilës i është rikonfirmuar për të tretin vit radhazi me notën AAA (Alb).