Lajme Shqip Friday, 02 March 2012 18:01

Banka Kombëtare Tregtare, BKT, e mbylli vitin 2011 me një fitim neto nga aktiviteti prej 29.4 milionë dollarësh, me një rritje vjetore prej afro 18%.

BKT është e para bankë që publikon rezultatet zyrtare të audituara për vitin e kaluar, rezultate që konfirmojnë një ecuri pozitive në treguesit kryesorë. BKT ka rritur të ardhurat si nga interesat, ashtu edhe nga komisionet, duke krijuar kështu themelet për një tjetër vit me rezultat financiar në rritje.

Përveç fitimit, banka ka rritur edhe vitin e kaluar bazën e vet të depozitave, duke arritur në afro 1.6 miliardë dollarë amerikanë. BKT është banka e dytë më e madhe për nga sasia e depozitave të publikut, ashtu siç ngelet e dyta edhe për nga madhësia.

Totali i aktiveve të bankës për vitin 2011 u rrit me 25% dhe arriti në 1.8 miliardë dollarë amerikanë. Porotofoli i kredisë u rrit me afro 42%, rritje vërtet shumë e lartë, në një vit kur rritja për të gjithë sistemin ishte rreth 12%. Së bashku me Credins dhe Raiffeisen, BKT ishte ndër bankat që mbajtën peshën kryesore në kreditimin e ekonomisë vitin e kaluar.

Sidoqoftë, duhet theksuar se një pjesë e konsiderueshme e rritjes së kredisë ka ardhur nga aktiviteti në Kosovë, ku BKT zotëron degën e saj prej disa vitesh. Në fund të vitit 2011, BKT kishte në portoflin e saj bono thesari në vlerën e 209 milionë dollarëve, me një rritje vjetore prej 11%.

Megjithë rritjen mjaft aggresive të financimeve, as BKT nuk i ka shpëtuar rritjes së kredive me probleme. Shpenzimet për fondin rezervë të humbjeve të mundshem nga kreditë arritën në 4 milionë dollarë, nga 1.6 milionë dollar që kishin qënë një vit më parë.

Për t’u përmendur fakti që BKT gjatë vitit 2011 siguroi një kontribut edhe nga dega e saj në Kosovë. Aktiviteti bankar në Kosovë i siguroi BKT një fitim prej 2 milionë dollarësh, ndërkohë që portofoli i kredisë në këtë degë arriti në 143 milionë dollarë.