Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 14:57

Tiranë – Banka Kombëtare Tregtare e mbyllë tremujorin me një fitim neto prej 5.5 milion dollarësh. Sipas raportit tremujor të audituar të publikuar nga BKT, fitimi ka njohur rënie krahasuar me një vit më parë, kur banka e grupit Çalik kishte realizuar një fitim prej 6.3 milion dollarë.

Megjithatë, duket se përkeqësimi i rezultatit financiar ka ardhur kryesisht si rezultat i kursit të këmbimit. BKT e ka kapitalin e vet aksioner në dollarë amerikanë, ndaj edhe raportimin financiar e bën në këtë monedhë. Treguesit realë të aktivitetit për tremujorin në fakt reflektojnë ecuri pozitive. Të ardhurat nga interesat janë rritur me 7.2%, ndërsa të ardhurat nga komisionet janë rritur me 61% krahasuar me një vit më parë. Shpenzimet për fondin rezervë të huave me probleme u pëgjysmuan krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Kreditimi në tre muajt e parë të këtij viti ka pasur një ritëm mjaft të mirë dhe portofoli i kredisë është rritur me afro 11% krahasuar me fundin e vitit 2010. Vetëm në tre muajt e parë të vitit, BKT e ka zgjeruar portofolin e kredisë pothuajse me të njëjtën normë sa në gjithë vitin 2010.

Edhe totali i depozitave ka vazhduar të rritet. Në fund të muajit mars, BKT zotëronte depozita në vlerën e 1.44 miliard dollarëve, me një rritje prej 10.2% krahasuar me fundin e vitit 2010.

Pas Raiffeisen, BKT është banka e dytë më e madhe depozituese në sistemin bankar.