Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 17:50

Tiranë – Një grup prej 200 investitorësh turq zbarkuan sot në Tiranë, për Forumin e dytë të Tregtisë dhe Investimeve të Detit të Zi.

Aktiviteti i organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë mblodhi përfaqësues nga të gjitha vendet anëtare të nismës. Por vëmendja ishte e gjitha tek grupi i madh i biznesmenëve nga Turqia, të cilëve drejtuesit e institucioneve shqiptare ju renditën shanset dhe avantazhet e investimit në Shqipëri.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se Shqipëria ka ulur dy barrierat kryesore, ato burokratike dhe fiskale, për të lehtësuar investimet e huaja.

Ndërsa ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, u paraqiti biznesmenëve të pranishëm mundësitë më të reja të investimit në industrinë energjetike dhe minerare.

Në 10 vitet e fundit, Turqia ka kryer investime të rëndësishme në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare, si financa, telekomunikacionet dhe së fundi energjetika.

Pas Italisë, Greqisë dhe Kinës, Turqia renditet e katërta mes partnerëve tregtarë të Shqipërisë, me 6% të volumit total të këmbimeve. Këmbimet tregtare mes dy vendeve për 9 muajt e parë të këtij viti kishin vlerën e 31.6 miliardë lekëve, me një rritje 32% krahasuar me një vit më parë.