Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 10:30

Tiranë – Biznes Albania i bëri thirrje klasës politike në vend, për stabilitet politik dhe mirëkuptim në miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave, duke kontribuar kështu në mbështetjen e biznesit shqiptar, aq më tepër sot në kushtet e krizës ekonomike.

Kreu i Biznes Albania, Luan Bregasi, duke folur në konferencën për zhvillimin e ekonomisë në kushtet e krizës që zhvilloi sot punimet në Tiranë, kërkoi vëmendje më të madhe të qeverisë ndaj biznesit. “Qeveria duhet të bashkëpunojë më shumë me komunitetin e biznesit për hartimin dhe miratimin e ligjeve”, tha ai.

Sipas tij, nga kriza ekonomike mund të përfitohet, ndaj duhet bashkëpunim me të gjithë aktorët për të gjetur rrugë të reja për të përfituar nga kjo mundësi.

“Stabiliteti politik brenda vendit dhe mbështetja e institucioneve financiare janë faktorë kryesorë për të përballuar krizën”, tha Bregasi. Duke përshëndetur vendimin e BSH-së për uljen e normës bazë të interesit për lekun, Bregasi tha se, kjo masë nuk po reflektohet ende nga bankat tregtare dhe kërkoi të rritet roli i BSH-së në monitorimin e kostove të produkteve bankare dhe kreditimi të shtojë frymëmarrjen ndaj biznesit.

Në konferencën për zhvillimin e ekonomisë në kushtet e krizës, marrin pjesë Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, Ministri i Ekonomisë, Nasip Naco, si dhe ekspertë të fushës ekonomike dhe politikave financiare.