Lajme Shqip Friday, 06 April 2012 15:40

Tiranë – Mbi 100 përfaqësues të biznesit dhe investitorëve më prestigjiozë turq, si edhe mbi 60 përfaqësues të biznesit shqiptar ishin të pranishëm sot në Forumin e parë turko-shqiptar të biznesit e ekonomisë, që u organizua në Turqi.

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, forumi u organizua nga Unioni i Dhomave të Tregtisë e Bursave të Turqisë (TOBB) në bashkëpunim me atë shqiptar, dhe në të morën pjesë Kryeministri Sali Berisha, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë së Turqisë, Ali Babaxhan dhe kryetari i Unionit të Dhomave dhe Bursave të Turqisë, Irfat Hisarchiklouglu.

Gjatë fjalës së tij, zoti Hisarchiklouglu vlerësoi reformat e suksesshme të qeverisë Berisha, që kanë bërë të mundur që Shqipëria të vijojë performancën pozitive, në dallim nga trendi ndërkombëtar gjatë kësaj kohe krizash  globale, duke ja lartësuar imazhin Shqipërisë dhe rritur në nivelet më të larta, interesin e biznesit dhe investitorëve turq për të investuar në Shqipëri dhe për të rritur shkëmbimet ekonomike e tregtare mes dy vendeve.

“Shqipëria dhe Turqia kanë lidhje të hershme kulturore-historike dhe tashmë është momenti të rrisin bashkëpunimin ekonomik në nivele edhe më të larta” tha më tej zoti Hisarchiklouglu.

Ai i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha dhe përfaqësuesve të biznesit, gatishmërinë e TOBB  për të ndarë eksperiencat me homologët shqiptarë, si edhe angazhimin e TOBB për të nxitur investitorët turq për të investuar në Shqipëri në fusha të rëndësishme si turizmi, ku Turqia është vend lider. Gjithashtu, sipas tyre, Turqia përkrah dhe lobimin e më vonë zbatimin e projektit shumë të rëndësishëm TAP, etj..

Zëvendëskryeministri Babaxhan e vlerësoi këtë vizitë si shumë të rëndësishme në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera, si edhe në zgjerimin e thellimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar e të gjithanshëm mes të dy vendeve.

Zoti Babaxhan vlerësoi lidhjet e hershme e të pafundme tradicionale, miqësore e partneriteti mes dy popujve dhe ripohoi vendosmërinë e Turqisë për t’i çuar ato në nivele edhe më të larta.

Më tej, Babaxhan e falënderoi Kryeministrin Berisha për faktin që gjatë kësaj periudhe shkëmbimet ekonomike e tregtare mes dy vendeve janë shumëfishuar, ndërkohë që investimet turke e kanë kapërcyer shifrën e 1 miliardë dollarëve, një faktor shumë i rëndësishëm kontribuues në ekonominë e Shqipërisë dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.

Ai rikonfirmoi angazhimin për t’i nxitur edhe më tej investitorët turq, për projekte të rëndësishme në Shqipëri si ato në fushën e turizmit, ndërtimit të infrastrukturave, energjisë, në shumë fusha të prodhimtarisë industriale e fason etj..

“Ky Forum duhet të realizojë bazën për forcimin e bashkëpunimit midis dy ekonomive tona, për të shfrytëzuar më mirë potencialet dhe eksperiencat tona pozitive. Kam pasur rast të shoh investimet në infrastrukturë të qeverisë shqiptare. Rruga e kombit është dëshmi e suksesit të saj dhe garanci për suksesin e ardhshëm të rritjes së shpejtë ekonomike të Shqipërisë. Klima e biznesit në Shqipëri ka qenë shumë ftuese për investimet e huaja dhe ato turke, që në këto vitet e fundit janë shumëfishuar,” u shpreh zoti Babaxhan.

Vizioni, – vijoi ai – për Ballkanin është të jenë një zonë ekonomike, me liri të lëvizjes së mallrave e njerëzve e të gjitha lehtësirat e tjera. Roli i Shqipërisë këtu është kyç. Vetëm kështu mund të garantojmë zhvillim e qëndrueshëm të vëndeve tona.

Në fund të takimit, në prani të Kryeministrit Berisha dhe Zëvendëskryeministrit Babaxhan, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit midis Postes Shqiptare dhe asaj të Turqisë, i cili parashikon shkëmbimin e përvojave, si edhe bashkëpunimin mes Postës së Turqisë dhe asaj shqiptare në shumë aspekte si në implementimin e sistemeve bashkëkohore të transfertave financiare apo implementimin e teknologjive të larta dixhitale në shërbimet që ky institucion ofron etj.

Kjo marrëveshje u nënshkrua për palën shqiptare nga Drejtori i Përgjithshëm i Postës, Arqile Gorea, ndërsa për palën turke nga Drejtori i saj OsmanTural.