Lajme Shqip Monday, 18 July 2011 14:36

Tiranë – Bizneset e kryeqytetit shqiptarë kanë arritur të thithin 75 për qind të kredisë së dhënë nga sistemi bankar vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë, Tirana, për shkak të numrit më të madh të bizneseve, por edhe të degëve të bankave të nivelit të dytë në vend, arriti të marrë 75 për qind të kredisë bankare të dhënë vitin e kaluar.

Banka vëren, se kredia e dhënë në kryeqytet është rritur me një pikë përqindjeje më shumë ndaj totalit. Elvis Meka, ekspert bankar, vëren se përqendrimi i kredidhënies në Tiranë është tregues i përqëndrimit të lartë të aktivitetit ekonomik në këtë zonë, në të cilën operojnë rreth 40% e bizneseve në vend.

Referuar të dhënave zyrtare, shpërndarja gjeografike e kredisë për individë rezulton më proporcionale dhe e balancuar, se sa kredia për biznese. Individët në Tiranë kanë përfituar rreth 57% të stokut total të kredisë për këtë grup, ndërsa pjesa e mbetur është e shpërndarë më njëtrajtësisht në rrethet e tjera të vendit.