Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 19:06

Tiranë – Komuniteti i biznesit u njoh me paketën e re fiskale të përgatitur nga Ministria e Financave. Zëvëndësministri i Financave, Alfred Rushaj, gjatë mbledhjes së Këshillit Konsultativ të Biznesit, prezantoi efektet që do të kenë në ekonomi ndryshimet në disa projektligje të rëndësishme.

Ndryshimet do të kryhen në ligjin “Për akcizën”, për “Taksat vendore-taksa e regjistrimit”, për “Tarifat e këpucëve dhe veshjeve” dhe në ligjin për “Taksat kombëtare-taksimi i makinave”. Përfaqësuesit e biznesit kërkuan që në këtë paketë fiskale të përfshihet edhe ulja e çmimeve të karburanteve.

Kryetari i Dhomës së Tregëtisë së Tiranës, Nikolin Jaka, theksoi se, çmimet e karburanteve në vendin tonë janë shumë të larta në krahasim me vendet fqinje. Por, sipas Zv/ministrit të Financave, akciza e karburanteve është në nivel të pranueshëm.

Ndryshimet e përfshira në këtë paketë fiskale, pas konsultimeve me biznesin, pritet të shkojnë në Kuvend për diskutim në Komisionet Parlamentare. (LajmeShqip.com)