Tiranë-Biznesi e shikon vitin 2012 si një sfidë për zhvillimin e tij.
Në kushtet kur Europa ende nuk po jep shenja të rimëkëmbjes për ekonominë e saj të përfshirë prej mëse 3 vitesh nga kriza financiare globale, reforma rregullatore nga ana e qeverisë dhe politika monetare më të favorshme konsiderohen dy ndër faktorët që mund të lehtësojnë biznesin përballë këtyre efekte negative.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, deklaron se, klima e biznesit në Shqipëri është përmirësuar nga reforma rregullatore e ndërmarrë nga qeveria, por qytetarët po tregohen të kujdesshëm, duke rritur kursimet.
Jaka u shpreh se, edhe viti 2012 shihet si i vështirë për biznesin.
Sipas tij, në zhvilimin e biznesit krahas reformave të qeverisë një rol të madh kanë edhe njësitë e pushtetit vendor.
“Vlerësoj planin për zhvillimin ekonomik, të ndërmarrë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. Është shumë e rëndësishme që nuk po ndërmerret vetëm një plan urbanistik për qytetin, por një plan i përgjithshëm për zhvillimin e biznesit”, deklaroi Jaka.
Sipas tij, sektori i ndërtimit dhe në përgjithësi biznesi, do të marrin nxitje nga masat e Bashkisë së Tiranës.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Tiranës vlerësoi gjithashtu propozimin e Kryeministrit Berisha për dhënien e shtetësisë shqiptare për sipërmarrësit e huaj, të cilët investojnë në Shqipëri.
Nga ana tjetër, ai kërkoi nga bankat që të përmirësojnë kushtet e dhënies së kredive dhe të ulin normën e interesit.
“Banka e Shqipërisë të ndërhyjë për të detyruar bankat të japin kredi me kushte më të favorshme për sipërmarrjet”, u shpreh Jaka. (LajmeShqip.com)