Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 12:03

Tiranë – Rregullimi i tregjeve nuk mund të bëhet duke rritur taksat. Luan Bregasi, president i Biznes Albania, shoqata që bashkon organizatat kryesore të biznesit shqiptar, thotë se rritja e tatimit mbi fitimin nuk mund të shërbejë për të ulur tarifat dhe konsumatorët, qoftë biznese apo individë, nuk do kishin asnjë përfitim nga një masë e tillë.

Sipas Bregasit, rritja progresive e tatim-fitimit mund të sjellë informalitet dhe evazion edhe në sektorët më të rregulluar të ekonomisë, siç janë bankat apo telekomunikacionet.

“Rregullimi i tregjeve mund të bëhet nëpërmjet mekanizmave më efikasë, aq më tepër kur flasim për tregje të rregulluara nga Autoritete Mbikqyrëse, si tregu bankar apo i telekomunikacioneve. Por rritja e tatimeve në asnjë rast nuk i shërben stabilizimit të çmimeve, ndaj mekanizmi që ka zgjedhur qeveria më duket i gabuar,” thotë Bregasi.

Qeveria shqiptare ka propozuar një rritje të tatimit mbi fitimin deri në masën 30% për ato kompani që kanë norma fitimi më të larta se 20%.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë po e kundërshtojnë njëzëri një qëndrim të tillë, si një masë që dëmton klimën e biznesit, rrezikon investimet private dhe, në analizë të fundit, mund të dëmtojë edhe konsumatorët, sepse rritja e tatimeve është një shtysë për rritje të çmimeve.