Lajme Shqip Friday, 29 July 2011 20:17

Prishtinë – Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar dhe Aleanca Kosovare e Biznesve nënshkruan sot në Prishtinë Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi me qëllim rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve si dhe plotësimin e tregut kosovar me produkete shqiptare.

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Enver Ferizaj dhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesve, Agim Shahini, nënshkruan marrëveshjen nëntë pikëshe, ku zotohen “të punojnë në ngritjen e kapaciteteve të ndësjella për furnizimin ritmik të tregut të Kosovës dhe të Shqipërisë me produktet kryesisht vendore të stinës dhe gjithëvjetore, duke mos lejuar mungesa në treg”.

Drejtuesit e bizneseve të dy vendeve vlerësuan faktin se marrëveshja do të ndihmojë rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Kosovës e Shqipërisë, duke theksuar edhe hapjen e mundësive të mëdha me Rrugën e Kombit – autostradën e ndërtuar nga qeveria shqiptare nga Durrës në Morin dhe autostradën në vazhdimin e saj Vërmicë-Merdare, e cila po ndërtohet nga qeveria kosovare.

“Kjo marrëveshje bashkëpunimi vjen në kohën kur Kosova ka marrë vendimin për respektimin e masave të reciprocitetit me disa vende dhe ka si qëllim të lehtësojë efektet e mungesës së produkteve bujqësore të importuara nga tregjet e bllokuara, duke rritur besimin e ndërsjelltë që produktet ku shkruhet shqip janë më afër konsumatorëve të dy vendeve”, u theksua në ceremoninë e firmosjes së memorandumit.