Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 13:54

Investimet e huaja direkte pësuan rënie gjatë vitit 2011, për herë të parë pas gjashtë viteve radhazi në rritje. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për vitin 2011 në Shqipëri u investuan 741 milionë euro kapital i huaj, me një rënie prej 6.5% krahasuar me vitin 2010.

Natyrshëm që shpjegimi i parë për rënien e investimeve është kriza ekonomike europiane. Kjo rënie është gjithashtu një sinjal se, në kushtet më sfiduese të tregjeve, tërheqja e investimeve mund të kërkojë strategji dhe incentiva të reja.Javën e kaluar kryeministri prezantoi një paketë të re reformash, që synojnë të pakësojnë afatet dhe procedurat burokratike, për t’i bërë më të lehta investimet.

Ndërsa investimet e huaja pësuan rënie pas një cikli të gjatë rritjeje, e kundërta ndodhi me remitancat, burimi tjetër i madh i të ardhurave nga jashtë dhe valutës. Pas tre viteve rënie, dërgesat e emigrantëve u rritën vitin e kaluar me 4.5% dhe arritën vlerën e 957 milionë eurove. Kjo rritje përbën një kontribut të rëndësishëm për ekonominë dhe për pozicionin e jashtëm të vendit, por përmban edhe një aspekt tjetër që kërkon reflektim.

Me shumë gjasa, rritja e të ardhurave të emigrantëve ka ardhur si rezultat i kthimit të tyre në Shqipëri dhe i transferimit të depozitave të tyre nga bankat greke në ato shqiptare. Kjo do të thotë se në ekonominë shqiptare kanë hyrë më shumë të ardhura për konsum dhe investime, por nga tjetër kthimi i emigrantëve paralajmëron uljen e të ardhurave gjatë viteve të ardhshme.

Çështja shtrohet që kursimet e emigrantëve të investohen në mënyrë eficente, për të gjeneruar të ardhura dhe për të siguruar të nesërmen e një pjese të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, që po kthehet në vend për të nisur një jetë të re sociale dhe ekonomike.