Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 17:30

Për herë të parë që nga viti 2007, prodhimi industrial i vendit rezultoi me rënie vjetore, për tre tremujorë radhazi. Sipas Institutit të Statistikave, prodhimi industrial në tremujorin e tretë të vitit të kaluar ishte në rënie me 1.9% krahasuar me një vit më parë.

Ndonëse rënia është më e kufizuar krahasuar me dy tremujorët e mëparshëm, vlerat negative të rritjes së prodhimit dëshmojnë edhe njëherë tendencën e përkeqësimit të ekonomisë shqiptare. Rënia e prodhimit industrial është ndikuar veçanërisht nga ecuria e dobët e industrisë përpunuese në vend.

Në tërësi, ky sektor ka rënë me 0.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Te nënsektorët me performancë negative renditen industria ushqimore, ajo e përpunimit të mineraleve dhe metaleve apo ajo e mobilieve. Për sa i takon industrisë fasone, ecuri pozitive ka regjistruar pjesa e veshjeve me një rritje vjetore 21%, ndërsa industria e lëkurës dhe këpucëve ka pësuar rënie me afro 4%. Impakt pozitiv në prodhimin industrial ka vazhduar të sjellë industria nxjerrëse, që në tremujorin e tretë 2011 u rrit me 69%. Por, për shkak të peshës më të ulët specifike, industria nxjerrëse nuk ka arritur të kthejë balancën negative në prodhimin industrial të vendit.

Megjithë rënien e prodhimit, industria shqiptare edhe në tremujorin e tretë, u ndihmua nga konjuktura e favorshme e çmimeve. Pavarësisht se prodhoi më pak, shifra e afarizmit apo xhiroja e industrisë u rrit me 11.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një vit më parë.