Lajme Shqip Wednesday, 04 April 2012 14:42

Prodhimi industrial i Shqipërisë pësoi një rënie të fortë me mbi 20% në tremujorin e fundit të vitit 2011, duke konfirmuar kështu tendencën negative që ka karakterizuar gjithë vitin e kaluar.

Sipas Institutit të Statistikave, impaktin kryesor në rënien e prodhimit e ka pasur energjia elektrike, që në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ra në pikiatë me mbi 75% më pak prodhim krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pikërisht kriza e brendshme energjitike i ka dhënë një goditje të rëndë prodhimit industrial të vendit gjatë gjithë vitit të kaluar, në një kohë që degët e tjera kanë rezistuar në rritje pozitive.

Prodhimi në industrinë nxjerrëse në tremujorin e fundit të vitit të kaluar u rrit mbi 57% me bazë vjetore. Edhe industria përpunuese arriti të shtonte volumin e prodhimit, pavarësisht se ritmi i rritjes ka ardhur në rënie të vazhdueshme gjatë vitit.

Për tremujorin e fundit prodhimi i industrisë përpunuese u rrit me 1.7% krahasuar me një vit më parë. Ndër nëndegët e industrisë përpunuese, nivelet më të larta të rritjes i ka shfaqur industria e rafinimit të naftës dhe ajo kimike e plastike, me një rritje vjetore prej 57%.

Ndërsa në rënie është industria e lëkurës dhe këpucëve, që ra 14.5% me bazë vjetore. Përtej goditjes së fortë të energjitikës, industria vendase po i ndjen pasojat e krizës të reflektuara në një rritje të ulët, veçanërisht për sa i takon industrisë përpunuese, që zë edhe peshën kryesore në prodhim dhe punësim.