Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 19:46

Tiranë – Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është institucioni i radhës që i sugjeron qeverisë shqiptare uljen e borxhit.

Në një raport të publikuar sot, BERZH në vlerësimin individual për Shqipërinë shprehet se vendit i nevojiten masa të mëtejshme fiskale për stabilizimin makroekonomik.

Në raport thuhet tekstualisht se: “është e rëndësishme për Shqipërinë që ta mbajë borxhin publik nën 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe ngadalësimi i ekonomisë mund të kërkojë shkurtim të mëtejshëm të shpenzimeve për ta mbajtur huamarrjen nën kontroll”.

Raporit i BERZH përmban parashikim pesimist për ecurinë e ekonomisë shqiptare në vitin 2011 dhe 2012, kur pritet një ngadalësim i mëtejshëm i ekonomisë, si rrjedhojë e krizës në disa prej tregjeve më të rëndësishme evropiane.

BERZH projekton për vitin 2011 një rritje ekonomike 1.9%, ndërsa për vitin e ardhshëm një rritje akoma më të ulët. Ndonëse deri tani efektet vlerësohen si të kufizuara, raporti vlerëson se marrëdhëniet e ngushta ekonomike dhe tregtare me Greqinë dhe Italinë mund të japin pasoja në ekonominë reale shqiptare në një afat të shkurtër.

Sipas BERZH, sistemi bankar deri tani i ka rezistuar mirë krizës, por euroizimi i lartë i ekonomisë dhe pjesa e madhe që zënë bankat greke ndaj aseteve të sistemit, mund të kërkojnë veprime të forta me politika mbështetëse për sektorin bankar.