Lajme Shqip Wednesday, 23 November 2011 10:26

 Tiranë-BERZH mbështet investimin në sektorin privat për prodhimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri nëpërmjet një kredie prej 3 milionë euro për Energy Partners, një kompani private vendase, për të financuar ndërtimin e dy hidrocentraleve të vegjël në Verilindje të vendit.

Shqipëria ka një potencial të madh për prodhimin e energjisë nga hidrocentralet që qëndrojnë të pashfrytëzuara, dhe vendi mbështetet ende në importin e energjisë elektrike për të përballuar kërkesat në rritje.

Rritja e kapaciteteve të prodhimit të energjisë nëpërmjet zhvillimit të sektorit të energjisë hidrike dhe përmirësimi i efikasitetit të energjisë në sistemin e shpërndarjes është një nga prioritetet e vendit.

Nëpërmjet mbështetjes së kredisë nga BERZH, Energy Partners do të ndërtojë dy hidrocentrale – Cërruja 1 dhe Cërruja 2 në lumin Benj, 140 kilometra në Verilindje të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës.

Me një kapacitet total prodhues prej 5.1 Më, do të prodhohet deri në 14.7 Gëh energji elektrike në vit dhe do të ndihmojë në kompesimin e 9,500 ton CO2 në vit. Të dy objektet janë pjesë e planit të Energy Partners për ndërtimin e pesë njësive të vogla hidrocentralesh në lumin Benj, për të cilat kompania ka marrë një koncesion për 35 vjet. Tre hidrocentrale të tjerë të vegjël do të ndërtohen në një fazë tjetër.

“Ndërtimi i hidrocentraleve të Cërrujës përbën investimin e parë privat në prodhimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri në shumë vite. Ky projekt do të zbatohet me teknologjitë më të fundit dhe do të krijojë një shembull të shkëlqyer të investimeve të suksesshme financiare në sektorin e energjisë së rinovueshme”, tha Fabio Serri, drejtor i zyrës së BERZH në Shqipëri.

“Ne e vlerësojmë shumë ndihmën e Bankës për zhvillimin e projekteve të energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe në rajon. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen që BERZH ka dhënë për këtë projekt dhe ne do të vazhdojmë të tregojmë se jemi një partner serioz”, tha Sokol Meqemeja, pronar dhe administrator i Energy Partners.

Financimi i BERZH është bërë nëpërmjet linjës direkte të financimit të Bankës për Energjinë e Qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.

Që nga fillimet e veprimtarisë në Shqipëri, BERZH ka investuar mbi 665 milionë euro në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit, duke mobilizuar investimet shtesë të saj në më shumë se 1.3 miliardë euro.