Lajme Shqip Wednesday, 07 March 2012 08:33

Berlin-Mbahet sot në kryeqytetin e Gjermanisë një konferencë për promovimin e investimeve dhe mundësive të bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, organizuar nga Nisma Ekonomike për Kosovën.

Mundësitë për investime në Kosovë dhe bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë do të jenë në fokus të konferencës që mbahet në Berlin. 

Qëllimi i konferencës është që në të ardhmen të gjenerohen investime në Kosovë, dhe paralelisht me këtë synojnë të ndikojnë në përmirësimin e imazhit të Kosovës.

Në këtë konferencë njëditëshe do të marrin pjesë edhe ministrja e tregtisë dhe industrisë Mimoza Kusari Lila dhe ai i zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj.

Ministri Beqaj, tha se atje do të prezantojë mundësitë ëpr investime në sektorin e energjetikës, minierave, telekomunikacionit, e njëkohësisht edhe nevojën për përmirësimin e infrastrukturës publike.

Sipas një raporti të Bankës Qendrore, në vitin 2007 investimet e huaja të drejtpërdrejta në Kosovë kanë qenë 421 milionë euro, më 2008 kanë rënë në 355 milionë euro, ndërsa në vitin 2009 vetëm 310 milionë euro, në vitin 2010, 265 milionë euro, kurse në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, investimet e huaja në Kosovë kanë qenë 157 milionë euro. (LajmeShqip.com)