Lajme Shqip Tuesday, 06 March 2012 17:07

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, në mbledhjen e qeverisë, se shqiptarët flasin sot me tarifa më të ulta përsa i përket telefonisë celulare.

Kryeministri shtoi se brenda një kohe të shkurtër do të bëhet e mundur që shqiptarët të kenë tarifat më të ulta të internetit në Evropë.
Kompanitë e shërbimit telefonik ofrojnë tashmë çmime më të ulëta për shqiptarët, tha Kryeministri, duke shtuar se kjo u arrit pas shqetësimit serioz që shprehu qeveria dy vite më parë.

 Kryeministri u shpreh se qytetarët shqiptarë tashmë flasim me çmime të lira, ndërkohë që premtoi se Shqipëria së shpejti do të ketë tarifat më ulta përsa i përket internetit.

“U arkivua e famshmja ‘më bëj një zile’. Flasim sot me një çmim tjetër dhe në Shqipëri telefonia mobile është rritur në nivelet më të larta që mund të ekzistojë, 184%, nga 140 % që ishte vitin e shkuar. Pra çdo shqiptar po shkon drejt dy telefonave për person. Ne do u ofrojmë shqiptarëve gjatë muajve që vijnë internet me çmimin më të lirë në Evropë. Nuk do ketë vend që ofron internet më të lirë se në Shqipëri. Qeveria nuk ndërhyn në treg, por respekton të drejtat e saj. Ne do bëjmë gjithçka që qytetarët të marrin internetin me çmimin më të ulët”, tha Berisha.

Duke deklaruar se çmimi i internetit është aktualisht i lartë, Kryeministri theksoi se do të vihen 1200 pika të tjera në dispozicion të qytetarëve për internet falas.

Sipas Berishës, “çmimet e internetit janë të pamerituara, por ne do të bëjmë gjithçka që qytetarët të marrin internetin me çmim më të ulët. Në 1200 pika të tjera do të kenë internet falas. Qeveria po merr masa, por shpreh keqardhje për çmimin që iu shitet sot interneti, por absolutisht me shpejtësi të madhe do të bëjë që ata ta blejnë me çmimin më të ulët në Evropë ose ta kenë gratis”.